Raportimi i Sinjalit për kapjen e mbi 30 mijë eurove të padeklaruara në pikën kufitare në Bërnjak është konfirmuar nga Dogana e Kosovës.

Siç kishte raportuar Sinjali, rasti kishte ndodhur mbrëmjen e 7 tetorit, rreth orës 22:15, kur në hyrje të Kosovës ishte ndaluar për kontroll një veturë Renault Kangoo, me targa të huaja, e drejtuar nga Vitomir Bjelić.

Burimet e Sinjalit kishin bërë me dije se automjeti ishte përzgjedhur për kontroll të dytë nga zyrtarët policorë dhe doganorë, ndërsa drejtuesi fillimisht kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për të deklaruar.

Gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët kishin zbuluar një hapësirë të fshehtë nën ulësen e pasme të pasagjerit, e mbuluar me tepih. Brenda saj ishte gjetur një qese e zezë me para të gatshme.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, në hapësirën e fshehtë ishin gjetur 30 mijë euro, ndërsa drejtuesi kishte edhe 550 euro në portofol, duke e çuar shumën totale në 30 mijë e 550 euro.

Tashmë, Dogana e Kosovës ka konfirmuar zyrtarisht rastin, duke bërë të ditur se gjatë kontrollit në pikën kufitare Bërnjak është ndaluar një automjet me targa të huaja, ndërsa në një hapësirë të fshehtë në dyshemenë e tij janë gjetur 30,550 euro në para të gatshme, të cilat nuk ishin deklaruar.

Sipas Doganës, udhëtari gjatë intervistimit kishte deklaruar se nuk kishte mjete monetare apo mallra për të deklaruar, por pas dyshimeve të krijuara, zyrtarët kryen kontroll të automjetit dhe kontroll personal.

Dogana ka rikujtuar se, sipas legjislacionit në fuqi, çdo person që hyn ose del nga Kosova dhe bart 10 mijë euro ose më shumë, është i obliguar që shumën ta deklarojë me shkrim dhe të paraqesë burimin e verifikueshëm të mjeteve

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.