Policia e Kosovës ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarën për dhunën fizike ndaj një 12-vjeçareje në Mitrovicë të Jugut, rast që ditë më parë shkaktoi reagime të shumta pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale.
Sipas Policisë, hetuesit e Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë kanë siguruar prova materiale, përfshirë një videosekuencë në të cilën shihet e dyshuara duke e sulmuar fizikisht dhe rrahur vajzën e mitur.
Pas rastit, viktima 12-vjeçare ka kërkuar tretman mjekësor.
Dhuna ndaj 12-vjeçares nga Mitrovica, KOMF reagon pas publikimit të pamjeve dhe kërkon masa urgjente
Policia ka njoftuar se e dyshuara është arrestuar pas sigurimit të provave dhe, pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe po hetohet në koordinim me Prokurorinë.
Për rastin ka reaguar edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, i cili kishte kërkuar aktivizimin e menjëhershëm të mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve dhe marrjen e masave nga institucionet përgjegjëse.