Një rast i dhunës në familje është raportuar në fshatin Baballoq të Deçanit, ku dy vëllezër kanë denoncuar vëllain e tyre, duke pretenduar se prej kohësh po përballen me dhunë fizike dhe psikike nga ai.

Sinjali mëson se i dyshuari është B.H., rreth 48-vjeçar, ndërsa viktima të rastit janë vëllezërit e tij, J. H., rreth 58-vjeçar dhe B. H., rreth 65-vjeçar.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rasti është denoncuar më 7 gusht në Stacionin Policor në Deçan, ku njëri prej vëllezërve ka deklaruar se i dyshuari vazhdimisht po shkakton probleme dhe po ushtron dhunë fizike e psikike ndaj tij dhe familjarëve të tjerë.

Ai ka deklaruar se situata dyshohet se përkeqësohet veçanërisht kur vëllai i tij është nën ndikimin e alkoolit.

Pas denoncimit, Policia është vënë në kërkim të të dyshuarit dhe e ka lokalizuar atë në afërsi të shtëpisë së tij. I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Deçan, ku zyrtarët kanë konstatuar se kundërmonte erë alkooli.

Pas alkooltestit, ai ka rezultuar me 1.18 promilë alkool, për çka nuk është intervistuar në atë fazë.

Edhe vëllai tjetër, B. H., është intervistuar dhe ka deklaruar se edhe ai përballet vazhdimisht me probleme dhe dhunë psikike e fizike nga i dyshuari.

Sipas raportit, në incidentin konkret asnjëri prej vëllezërve nuk ishte sulmuar apo lënduar, prandaj nuk kanë kërkuar trajtim mjekësor.

Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Pejë, B.H. është ndaluar për 48 orë.

Rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” dhe mbetet nën hetime.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.