Gazeta Sinjali raportoi më herët për ngjarjen e rëndë në Malishevë, ku një çift mbeti i plagosur me armë zjarri.
Si pasojë e plagëve të marra, 25-vjeçarja, e cila ishte në javën e 34-të të shtatzënisë, ka ndërruar jetë në Qendrën Emergjente të QKUK-së, pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor për ta shpëtuar.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se personi që po trajtohet si i dyshuar në këtë rast është Egzon Bytyqi.
Sinjali ka siguruar informacione të reja lidhur me të dyshuarin dhe rrethanat që i kanë paraprirë ngjarjes.
Sipas të dhënave të rastit, Egzon Bytyqi kishte rreth katër vite që jetonte dhe punonte në Gjermani, ndërsa në Kosovë ishte kthyer vetëm rreth një muaj para tragjedisë.
Familjarët kanë deklaruar para autoriteteve se gjatë kohës së fundit ai kishte pasur probleme të shëndetit mendor në Gjermani. Këto janë deklarime të familjarëve të evidentuara në informacionet fillestare të rastit dhe jo konstatime mjekësore të verifikuara.
Sinjali mëson se arma që dyshohet se është përdorur në këtë rast i përket babait të të dyshuarit.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali se i plagosuri është i intubuar dhe i lidhur me respirator, ndërsa gjendja e tij mbetet jo stabile.
Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente, ndërsa pritet të sqarohen të gjitha rrethanat që çuan deri te kjo ngjarje tragjike.