Një shtëpi e pabanuar është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit në Zveçan, ndërsa Policia ka nisur hetime për veprën penale “Zjarrvënie”.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur rreth orës 00:10, në rrugën “Koste Vujinoviq”, ku një banor i lagjes ka njoftuar Policinë pasi kishte vërejtur se objekti ishte kapluar nga zjarri.

Sipas burimeve, ankuesi ka deklaruar se shtëpia ishte e pabanuar dhe dyshohet se është në pronësi të një familjeje shqiptare me mbiemrin Berisha.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e zjarrfikësve, të cilat kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta shuajnë zjarrin, duke parandaluar përhapjen e tij.

Si pasojë e zjarrit, është dëmtuar një dhomë në katin e parë dhe një pjesë e kulmit të shtëpisë, ndërsa vlera e dëmit material ende nuk është përcaktuar.

Në vendngjarje kanë dalë edhe njësitë policore dhe hetuesit kompetentë, të cilët kanë kryer ekzaminimin e lokacionit dhe kanë mbledhur provat e nevojshme.

Me konsultim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Zjarrvënie”, ndërsa hetimet janë në vazhdim për zbardhjen e shkakut të zjarrit dhe identifikimin e personave të mundshëm të përfshirë.