Një inspektim rutinë i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në një lokal në Podujevë dyshohet se u pasua me kërcënime ndaj inspektorit që kreu kontrollin.

Sinjali mëson se i dyshuari është Gentian Bajgora rreth 26-vjeç, ndërsa ankues është F. Rr. rreth 43-vjeç, inspektor i ATK-së.

Sipas burimeve, më 2 gusht, inspektori kishte kryer kontroll në një lokal në rrugën “28 Nëntori” në Podujevë.

Pas përfundimit të inspektimit, rreth orës 16:30, ai është telefonuar nga Gentian Bajgora, i cili, sipas denoncimit, i është drejtuar me fjalët:

“Ti ke qenë te lokali i motrës sime, ku ia ke ndërpre punën.”

Burimet bëjnë të ditur se pas kësaj telefonate kanë pasuar ofendime dhe kërcënime, për shkak të të cilave inspektori ka deklaruar se është ndjerë i rrezikuar dhe ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë.

I dyshuari është intervistuar dhe ka mohuar se e ka kanosur apo fyer inspektorin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar procedurë për veprën penale “Kanosje”, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.