Një grua ka përfunduar nën hetim në Gjakovë, pasi dyshohet se ka sulmuar një zyrtar policor, duke tentuar njëkohësisht ta largonte djalin e saj nga Stacioni Policor, ku ai po intervistohej për një rast tjetër.
Sinjali mëson se e dyshuara është Hilmije Kovaçi rreth 43-vjeç.
Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 2 gushtit, rreth orës 20:00, në Stacionin Policor të Gjakovës, në rrugën “Skënderbeu”.
E dyshuara kishte shkuar në stacion së bashku me djalin e saj, i cili ishte shoqëruar nga Policia si i dyshuar në një rast tjetër.
Gjatë komunikimit me zyrtarët policorë, ajo dyshohet se ka ngritur tonin e zërit dhe më pas ka tentuar të largohej nga stacioni së bashku me djalin e saj.
Sipas burimeve, pasi dolën jashtë objektit, zyrtarët policorë ndërhynë për ta kthyer të riun në zyrën e intervistimit, ndërsa nëna e tij e mbante vazhdimisht nga krahu, duke u përpjekur të pengonte shoqërimin e tij.
Pasi djali u kthye në stacion, Hilmije Kovaçi dyshohet se vazhdoi me sjellje agresive dhe, në një moment, e shtyu me të dyja duart një zyrtar policor.
Rasti është marrë në trajtim nga hetuesit rajonalë, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar procedurë për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Pas përfundimit të procedurave policore, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.