Policia e Kosovës ka bërë të martën ekstradimin e një shtetaseje të Shqipërisë, e cila kërkohej nga autoritetet shqiptare përmes INTERPOL-it me letërreshtim ndërkombëtar.
Sipas Policisë së Kosovës, ekstradimi është realizuar përmes pikës kufitare në Vërmicë, në koordinim me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
Shtetasja shqiptare ishte arrestuar më herët nga Policia e Kosovës, pasi ndaj saj ishte lëshuar letërreshtim ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Shqipërisë.
Ajo kërkohej për veprat penale “ndihmë në kalim të paligjshëm kufitar” dhe “falsifikim të dokumenteve”, të cilat, sipas Policisë, dyshohet se janë kryer si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Pas përfundimit të procedurave përkatëse, e kërkuara është ekstraduar nga Kosova në Shqipëri.