Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht se Dukagjin Nikollaj ishte një nga personat e dyshuar për përfshirje në përleshjen e armatosur në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, ku mbeti i vrarë 39-vjeçari Kastriot Ramadani, ndërsa u plagosën dhe u lënduan edhe 17 persona të tjerë.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se Dukagjin Nikollaj tashmë është ekstraduar nga Spanja në Kosovë dhe ndodhet në Prishtinë.
Rasti kishte ndodhur më 4 gusht 2023 në rrugën “Xheladin Hana”, pas një mosmarrëveshjeje në lokalin e njohur “Bon Vivant”, ku dyshohet se mes disa personave ishin përdorur edhe armë zjarri.
Si pasojë e të shtënave, Kastriot Ramadani kishte humbur jetën, ndërsa katër persona të tjerë kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit. Po ashtu, 17 persona, prej tyre tre burra dhe 14 gra, kishin marrë lëndime nga thyerja e gotave dhe shisheve të qelqit.
Sinjali kishte mësuar se Nikollaj dyshohej se ishte përfshirë në shkrepjen e armëve dhe se kishte arritur të largohej nga vendi i ngjarjes. Njësitë policore kishin ndërmarrë veprime të shumta hetimore për lokalizimin e vendndodhjes dhe arrestimin e tij.
Në mesin e të dyshuarve për rastin ishin përmendur edhe Andi Pajaziti, i njohur me nofkën “Italiani”, Hysni Geci dhe Gzim Zakuti.
Pajaziti kishte mbetur i plagosur gjatë përleshjes dhe ndaj tij ishte lëshuar urdhër për ndalim, ndërsa të dyshuarit e tjerë ishin arrestuar dhe ndodheshin nën përkujdesje policore.
Në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë relevante policore dhe njësia K-9, ndërsa ishin gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku.
Autoritetet kompetente pritet të japin detaje të tjera pas përfundimit të intervistimit dhe veprimeve të mëtejshme hetimore ndaj Nikollajt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.