Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka pritur në takim dy zyrtarë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI), në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe FBI-së, me fokus në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve të sigurisë, si dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
Sipas njoftimit, palët vlerësuan nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit, duke e cilësuar atë si shumë të rëndësishëm për ngritjen e kapaciteteve profesionale të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe për përballimin e sfidave të përbashkëta në fushën e sigurisë.
Në përfundim të takimit, u dakordua që bashkëpunimi të vazhdojë dhe të intensifikohet edhe më tej përmes koordinimit të vazhdueshëm, shkëmbimit të informatave dhe realizimit të aktiviteteve të përbashkëta profesionale.