Një rast i vjedhjes së rëndë është regjistruar në orët e para të së hënës në fshatin Volljakë të Klinës, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë vjedhur një trafo të energjisë elektrike, mëson Sinjali.
Rasti është raportuar më 17 gusht, rreth orës 01:30, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet policore.
Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, trafoja ishte pronë private dhe shfrytëzohej për nevojat e lokalit “DIORI”.
Pas daljes në lokacion, policët kanë konstatuar se persona të panjohur kishin ndërhyrë në trafo, ndërsa hetuesit që kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes kanë evidentuar edhe dëmtimin e saj.
Në vendngjarje kanë dalë Njësia e Hetimeve, Krimteknika dhe Hetimet Rajonale, të cilat kanë nisur mbledhjen e provave që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Dëshmitari B.U. rreth 47 vjeçar është kontaktuar lidhur me rastin, ndërsa deri në këtë fazë nuk është përcaktuar vlera e dëmit të shkaktuar.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.
Deri më tani nuk ka persona të dyshuar apo të arrestuar, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve po vazhdojnë.