Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e falënderuar për ftesën, por duke përsëritur qëndrimin se PDK do të mbetet në opozitë.
Hamza ka thënë se këtë qëndrim ia kishte bërë të ditur Kurtit edhe në takimin e 10 korrikut, duke theksuar se dallimet programore dhe konceptuale me Lëvizjen Vetëvendosje e bëjnë të pamundur përfshirjen e PDK-së në pushtet.
“Për shkak të dallimeve tona programore dhe konceptuale, Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hamza.
Ai ka shtuar se PDK do të kontribuojë nga opozita për forcimin e demokracisë, mbrojtjen e interesit shtetëror dhe përfaqësimin e qytetarëve.
Hamza i ka kërkuar Kurtit që gjatë ditës së sotme të ndërmarrë hapat e nevojshëm për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Nga ju kërkojmë që sot, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të ndërmerrni hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit dhe t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja”, ka shkruar ai.
Në fund, Hamza ka bërë të ditur se PDK do ta japë kontributin e saj për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.