Policia ka arritur ta identifikojë dhe arrestojë personin e dyshuar për një rast të sulmit seksual ndaj një 22-vjeçari në Prishtinë, i cili ishte raportuar më 27 gusht, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i arrestuari është Avni Mavriqi, i lindur më 1976, i cili pas veprimeve hetimore është identifikuar si personi që dyshohet se qëndron prapa rastit.

Ngjarja kishte ndodhur rreth orës 22:20 në rrugën “Hys Popova”, derisa viktima, R. H, 22-vjeçar, ishte duke ecur.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, në një moment viktimës i ishte afruar një burrë rreth të 50-ave, në atë kohë i panjohur për të, i cili i ishte bashkuar gjatë ecjes dhe kishte nisur të bisedonte me të.

Për rreth pesë minuta, dyshohet se 50-vjeçari vazhdimisht kishte tentuar ta orientonte 22-vjeçarin drejt pjesëve më të errëta të rrugës.

Në një moment situata dyshohet se ka eskaluar, kur i dyshuari e ka kapur viktimën për krahu me njërën dorë, ndërsa me dorën tjetër dyshohet se e ka prekur në organin gjenital.

I shqetësuar nga ajo që kishte ndodhur, 22-vjeçari është larguar me vrap nga vendi.

Rasti ishte denoncuar në Polici dhe, pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, ishte iniciuar si “Sulm seksual”.

Në atë fazë, personi i dyshuar nuk ishte identifikuar.

Por hetimet e zhvilluara më pas kanë çuar Policinë te Avni Mavriqi, i cili është arrestuar nën dyshimin për përfshirje në rast.

Pas arrestimit është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që Mavriqi të intervistohet dhe më pas të ndalohet për 48 orë.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.