Një person që ishte në kërkim për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” është arrestuar në pikën kufitare në Jarinjë, ndërsa kontrolli që pasoi në shtëpinë e tij në Leposaviq ka rezultuar me gjetjen e 45 fishekëve dhe pjesëve të uniformës së Policisë së Kosovës, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i arrestuari është I. S. rreth 41-vjeç, i lindur në fshatin Rvatska të Leposaviqit dhe me vendbanim në Novi Pazar të Serbisë. Sipas të dhënave të rastit, ai posedon shtetësi të Kosovës dhe të Serbisë.
Salkoviq është ndaluar më 17 gusht, rreth orës 12:20, teksa po hynte në territorin e Kosovës përmes pikës kufitare në Jarinjë.
Gjatë verifikimit, sistemi e ka identifikuar atë në “stop-listë”, pasi rezultonte person në kërkim nën dyshimet për falsifikim të dokumenteve.
Pas arrestimit, rasti është marrë në trajtim nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ndërsa është njoftuar edhe Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Me urdhër të Prokurorit është kryer kontroll edhe në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Rvatska të Leposaviqit.
Aty hetuesit kanë gjetur dhe sekuestruar 45 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe pjesë të uniformës së Policisë së Kosovës.
Për municionin dhe pjesët e uniformës janë angazhuar njësitet policore kompetente në zonën e Leposaviqit, ndërsa në kuadër të hetimit për falsifikim dokumentesh është sekuestruar edhe telefoni personal i të dyshuarit.
Salkoviq është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë në Qendrën e Ndalimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.