Karabinierët italianë të angazhuar në Njësinë e Specializuar Shumëkombëshe të KFOR-it po zhvillojnë rregullisht patrulla në Gjakovë.
Sipas KFOR-it, këto patrulla synojnë ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët dhe forcimin e pranisë së dukshme e fleksibile të misionit në terren.
Aktivitete të tilla, siç bëhet e ditur në njoftim, ndihmojnë gjithashtu në rritjen e njohurive për situatën e sigurisë në mbarë Kosovën.
KFOR-i ka ritheksuar se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes.
Misioni i NATO-s punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet e tyre si reagues të sigurisë.