Brenda më pak se dy muajve, tri familje kanë humbur të afërmit e tyre në aksidente në vendin e punës në Korporatën Energjetike të Kosovës, ndërsa së fundmi vendi u trondit edhe nga vdekja e zyrtarit policor Altin Kryeziu, i cili ndërroi jetë pas lëndimeve të marra gjatë kryerjes së detyrës. Deri në momentin e publikimit, kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk ka reaguar publikisht për asnjërin prej këtyre rasteve.
Rasti i parë në KEK kishte ndodhur më 8 korrik, kur Milazim Binaku pësoi lëndime të rënda gjatë punës në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj. Pas disa ditësh trajtim në QKUK, ai ndërroi jetë më 16 korrik.
Më 16 gusht, punëtori Haxhi Gojnovci humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës, ndërsa vetëm katër ditë më vonë u regjistrua edhe viktima e tretë.
Arbenit Ahmeti ndërroi jetë pasi, sipas KEK-ut, gjatë transportimit dhe zhvendosjes së kabllove 6 kV ra në kontakt me tensionin elektrik. Pavarësisht intervenimit dhe dërgimit për trajtim mjekësor, ai nuk arriti t’u mbijetonte lëndimeve.
Tri raste fatale brenda një periudhe të shkurtër kanë ngritur pikëpyetje për sigurinë në punë, masat parandaluese dhe përgjegjësinë institucionale në KEK.
Për këto raste kanë reaguar deputetë nga LDK, PDK dhe AAK, duke kërkuar më shumë siguri për punëtorët dhe mbikëqyrje më të fortë në vendet e punës me rrezik të lartë.
Ndërkohë, të dielën ndërroi jetë edhe zyrtari policor Altin Kryeziu, i cili prej disa ditësh ishte në gjendje të rëndë pas një aksidenti të pësuar gjatë kryerjes së detyrës në Malishevë.
Për vdekjen e Kryeziut kanë reaguar drejtues të Policisë, Sindikata e Policisë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, deputetë, kolegë dhe familjarë, duke e kujtuar atë si zyrtar të përkushtuar dhe shembullor.
Megjithatë, deri në momentin e publikimit nuk është bërë publik ndonjë reagim nga kryeministri në detyrë Albin Kurti as për vdekjen e Kryeziut dhe as për tri rastet fatale në KEK.
Mungesa e një reagimi ka marrë vëmendje edhe për faktin se Kurti kishte reaguar publikisht për incidente të tjera, përfshirë një rast në Vlorë, ku disa pushues ishin lënduar pas përfshirjes së një hoteli nga zjarri.
Rastet e fundit kanë rikthyer debatin për sigurinë në punë, mbrojtjen e zyrtarëve gjatë kryerjes së detyrës dhe përgjegjësinë institucionale pas ngjarjeve me pasoja fatale.