Sinjali ka mësuar identitetin e dy personave të dyshuar për incidentin me tre zyrtarë policorë në Vushtrri, i cili nisi nga një kundërvajtje në trafik dhe eskaloi deri në përplasje fizike.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të dyshuarit janë Elvis Pajaziti rreth 34-vjeç dhe Enis Pajaziti rreth 27-vjeç, të cilët pas intervistimit janë ndaluar për 48 orë.

Ngjarja ka ndodhur më 10 gusht, rreth orës 11:30, në rrugën “Bedri Pejani”, ku Policia kishte hasur një automjet të parkuar në mënyrë të parregullt në shiritin e kundërt, duke bllokuar qarkullimin.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri dyshohet se nuk u janë bindur urdhrave të zyrtarëve policorë, ndërsa situata më pas ka eskaluar.

Dy të dyshuarit dyshohet se kanë fyer dhe shtyrë zyrtarët policorë, çka ka bërë që këta të fundit të përdorin sprej për ta vënë situatën nën kontroll.

Pas incidentit, tre zyrtarë policorë kanë kërkuar trajtim mjekësor dhe janë pajisur me raporte mjekësore. Trajtim kanë marrë edhe dy të dyshuarit për shkak të përdorimit të sprejit.

Pajaziti dhe Pajaziti janë arrestuar dhe intervistuar nga hetuesit, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në ndalim për 48 orë.

Rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe mbetet nën hetime.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.