Dy persona kanë mbetur të lënduar mbrëmjen e së mërkurës pas një shpërthimi të fuqishëm që përfshiu një veturë në rrugën “Lufta e Gjilanit” në Gjilan, ndërsa autoritetet po hetojnë dyshimet se në automjet mund të jetë vendosur një mjet shpërthyes.

Sinjali mëson se të lënduar janë Nehat Thaqi rreth 40 vjeçar dhe Ana Bojçiq rreth 25 vjeçar.

Sipas burimeve, rreth orës 21:45, Policia është njoftuar se një veturë ishte përfshirë nga zjarri. Me të mbërritur në vendngjarje, zyrtarët policorë kanë gjetur Nehat Thaqin të bllokuar brenda automjetit, duke kërkuar ndihmë, ndërsa Ana Bojçiq ndodhej jashtë veturës.

Zjarrfikësit kanë ndërhyrë për ta nxjerrë viktimën nga automjeti, ndërsa ekipet mjekësore u kanë ofruar ndihmën e parë të dy të lënduarve. Për shkak të plagëve të rënda, Nehat Thaqi është transferuar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa Ana Bojçiq është ndalur për trajtim të mëtejshëm në spital.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Policisë, forenzika rajonale dhe Prokurori kujdestar për Krime të Rënda.

Për shkak të dyshimeve se ngjarja mund të jetë shkaktuar nga një mjet shpërthyes, është angazhuar edhe Njësia për Deminim dhe Eksploziv, e cila ka vendosur që ekzaminimi i detajuar i vendit të ngjarjes të vazhdojë në orët e mëngjesit, për shkak të kushteve të papërshtatshme gjatë natës.

Hetuesit po punojnë për të përcaktuar llojin, sasinë dhe mënyrën e vendosjes së materies shpërthyese, ndërsa deri në këtë fazë nuk ka persona të identifikuar si të dyshuar dhe as motivi i ngjarjes nuk është zbardhur.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet intensive po vazhdojnë.