Pas muajsh hetime intensive dhe një pune të gjatë operativo-hetimore, Policia e Kosovës ka arritur të identifikojë, lokalizojë dhe arrestojë një nga të dyshuarit për grabitjen e armatosur që tronditi Pejën në fund të vitit të kaluar.
Sinjali mëson ekskluzivisht se në pranga ka përfunduar Avdyl Daci, rreth 60-vjeçar, i cili dyshohet për përfshirje në grabitjen e ndodhur më 20 dhjetor 2025, në rrugën “Qamëria” në Pejë.
Viktima të rastit janë Gj.G, rreth 55-vjeçar, V. G, rreth 44-vjeçar dhe D. G, rreth 20-vjeçar.
Sipas burimeve të Sinjalit, arrestimi është rezultat i një pune të gjatë të Sektorit Rajonal të Hetimeve në Pejë, i cili në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka zhvilluar veprime operative dhe masa të fshehta hetimore për lokalizimin e të dyshuarit, i cili për muaj të tërë kishte arritur t’u shmangej organeve të rendit.
Pas arrestimit, Avdyl Daci është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të grabitjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast janë duke vazhduar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Pejë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.