Sinjali ka mësuar identitetin e personave të dyshuar për përleshjen e rëndë që ndodhi pas mesnatës në qendër të Ferizajt, ku një person pësoi lëndime të rënda dhe u transferua në QKUK.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në këtë rast si të dyshuar figurojnë Dionis Avdyli rreth 21-vjeç, Edian Avdyli rreth 22-vjeç, Armend Nuhaj rreth 39-vjeç dhe Orges Avdyli, ndërsa viktimë është Sh. A..

Ngjarja ndodhi rreth orës 00:15 të 11 gushtit, në rrugën “12 Qershori”, në hapësirën mes kafiterive “0290 Bar” dhe “Dritarja”, ku Policia ishte alarmuar për një rrahje në zhvillim.

Përleshja përfundoi me tre persona të lënduar – Dionis Avdyli, Armend Nuhaj dhe Sh. A..

A. pësoi lëndime të thella dhe, për shkak të gjendjes së tij, u transferua në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm.

Policia ka intervistuar personat e dyshuar që janë siguruar, ndërsa njëri prej tyre nuk është lokalizuar ende.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar inicimin e hetimeve për “Vrasje të mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.