Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim senatoren amerikane nga Ajova, Joni K. Ernst.

Ernst ishte e shoqëruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, si dhe nga Agjutanti i Përgjithshëm i Ajovës, Gjeneral Major Stephen Osborn.

Sipas njoftimit të FSK-së, Jashari e ka falënderuar senatoren Ernst për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale dhe të ardhmen e FSK-së, prioritetet e saj, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, u shkëmbyen qëndrime lidhur me zhvillimet aktuale të sigurisë dhe sfidat e përbashkëta”, thuhet në njoftim.

Në fund të takimit, Jashari ka shprehur mirënjohjen ndaj senatores Ernst për kontributin e saj në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të partneritetit dhe marrëdhënieve bilaterale në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.