Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për zjarrin që përfshiu një shtëpi të pabanuar në Zveçan, e cila dyshohej se ishte në pronësi të një familjeje shqiptare me mbiemrin Berisha.

Tashmë është konfirmuar se bëhet fjalë për shtëpinë e familjes Berisha, e cila ishte rikthyer në pronën e saj pas plot 28 vjetësh.

Rasti ka ndodhur rreth orës 00:10, në rrugën “Koste Vujinoviq”, ku një banor i lagjes ka njoftuar Policinë pasi kishte vërejtur se objekti ishte përfshirë nga flakët.

Për rastin ka reaguar Zana Berisha, e cila ka deklaruar se familja dyshon se zjarri ishte i qëllimshëm dhe se synimi ishte djegia e të gjithë shtëpisë.

“Mbrëmjen e kaluar kanë tentuar me na djeg komplet shtëpinë. Fatmirësisht, një pjesë e madhe e shtëpisë ka shpëtuar. Krejt kjo si pasojë se ne nuk jemi 24 orë këtu. Kjo nuk do të thotë kurrgjë për ne si familje. Përkundrazi, vetëm sa e forcon bindjen tonë se jemi në rrugën e drejtë. Jemi të lirë, kemi përkrahjen e institucioneve të shtetit tonë dhe do të vazhdojmë”, ka shkruar ajo.

Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e zjarrfikësve, të cilat kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta shuajnë zjarrin, duke parandaluar përhapjen e mëtejme të tij.

Si pasojë e zjarrit, është dëmtuar një dhomë në katin e parë dhe një pjesë e kulmit të shtëpisë, ndërsa vlera e dëmeve materiale ende nuk është përcaktuar.

Berisha ka bërë të ditur se familja nuk do të tërhiqet nga punimet për renovimin e objektit dhe kthimin e tij në një shtëpi të banueshme.

“Do të kthehemi edhe më të fuqishëm se më parë. Shtëpia jonë do të renovohet. Është një ndjenjë shumë e keqe dhe një emocion negativ që sot në mëngjes u zgjuam me një lajm të tillë, por kjo nuk ka për të na ndalur”, ka deklaruar ajo.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë policore dhe hetuesit kompetentë, të cilët kanë kryer ekzaminimin e lokacionit dhe kanë mbledhur provat e nevojshme.

Me konsultim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Zjarrvënie”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e shkakut të zjarrit dhe identifikimin e personave të mundshëm të përfshirë.