Një konflikt i pazakontë në Qendrën e Skijimit në Brezovicë ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë, pasi një 65-vjeçar dyshohet se ka kërcënuar me armë zjarri tre persona gjatë një mosmarrëveshjeje për kalimin në një shteg malor.
Sinjali mëson se i dyshuari është Nusret Haziri rreth 65-vjeç, ndërsa viktima të rastit janë M.Rr rreth 37-vjeç, H.S. rreth 48-vjeç dhe M. M. rreth 40 vjeç.
Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur pasditen e 5 gushtit, rreth orës 16:30, në afërsi të repetitorit në Qendrën e Skijimit në Brezovicë.
Tre viktimat po lëviznin me kuajt e tyre në një shteg të ngushtë malor, kur kanë hasur në të dyshuarin, i cili po ashtu ndodhej aty me kalin e tij. Sipas raportimit, ai kishte lënë kalin në mes të rrugës dhe kishte refuzuar ta largonte për t’u hapur rrugë.
Mosmarrëveshja verbale mes palëve ka eskaluar, kur i dyshuari dyshohet se ka marrë një pistoletë që e kishte pranë, e ka drejtuar në drejtim të tre personave dhe i ka kërcënuar, duke përdorur edhe fjalë fyese.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që ndaj Nusret Hazirit të caktohet masa e ndalimit për 48 orë.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Kanosje me armë zjarri” dhe “Mbajtje e paligjshme e armës”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.