Një kthesë e rëndësishme ka ndodhur në hetimet për përleshjen e korrikut në Drenas, ku një mosmarrëveshje në trafik kishte përfunduar me përdorimin e thikës dhe plagosjen e një personi, raporton Gazeta Sinjali.

Rasti, i cili fillimisht ishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, tashmë është ricilësuar, ndërsa hetimet do të zhvillohen ndaj të dy personave të përfshirë.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në rast janë të përfshirë Defrim Hasi, 27-vjeçar, dhe Ardian Bucolli, 32-vjeçar.

Ngjarja kishte ndodhur më 3 korrik, rreth orës 11:15, në rrugën “Ilaz Kodra” në Drenas, përballë restaurantit “City Grill”.

Sipas informacioneve fillestare të Policisë, mes Hasit dhe Bucollit kishte shpërthyer një konflikt pas një mosmarrëveshjeje në trafik, i cili më pas kishte eskaluar në përleshje fizike.

Gjatë përleshjes, Hasi dyshohej se kishte përdorur një thikë, duke e goditur disa herë Bucollin.

Bucolli kishte marrë fillimisht trajtim në QKMF në Drenas dhe më pas ishte dërguar në QKUK. Pas trajtimit mjekësor ishte liruar për shërim në shtëpi.

Ndërkohë, Hasi ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe Policia nuk kishte arritur ta gjente në lokacionet ku dyshohej se mund të qëndronte. Për të më pas ishte iniciuar edhe kërkimi policor.

Por rreth dy muaj pas ngjarjes ka ardhur zhvillimi i ri.

Sinjali mëson se më 2 shtator, Defrim Hasi është paraqitur në Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, pasi deri atëherë figuronte si person në kërkim policor.

Ai është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, ndërsa pas intervistimit çështja është konsultuar me prokurorin e Departamentit të Krimeve të Rënda.

Pas këtij zhvillimi, vepra penale është ricilësuar nga “Vrasje në tentativë” në “Lëndim i rëndë trupor”.

Por kthesa nuk përfundon këtu.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Ardian Bucolli, i cili fillimisht ishte intervistuar si viktimë/i dëmtuar, tashmë pritet të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit.

Me udhëzim të Prokurorisë, pas përfundimit të veprimeve të nevojshme hetimore, rasti pritet të procedohet me kallëzim penal ndaj të dyve, nën dyshimin për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Çështja do të vazhdojë të trajtohet në procedurë të rregullt.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.