Një lexues i Gazetës Sinjali ka ngritur shqetësimin për disa mesazhe të dyshimta që po pranohen në aplikacionin Viber nga numra të panjohur.
Sipas tij, mesazhi i njëjtë ka ardhur nga dy numra të ndryshëm, duke i ftuar përdoruesit të bashkohen në një grup për kriptomonedha.
Në mesazh shkruhet:
“Urime! Je përdorues i ftuar i grupit Crypto. Kliko lidhjen për t’u bashkuar në grup dhe zbulo mundësi të mira në tregun e kriptomonedhave.”
Lexuesi dyshon se bëhet fjalë për një tentativë mashtrimi online (scam) dhe ka dërguar pamjet e mesazheve për të paralajmëruar edhe qytetarët e tjerë.
Përdoruesit këshillohen të jenë të kujdesshëm dhe të mos klikojnë në lidhje të panjohura, të mos japin të dhëna personale apo financiare dhe të mos bashkohen në grupe të dyshimta.
Në raste të tilla, mesazhet mund të shërbejnë për të drejtuar përdoruesit drejt faqeve apo platformave të dyshimta, ndaj rekomandohet që ato të fshihen dhe numrat të bllokohen.