Sinjali ka siguruar identitetin e 20-vjeçarit që përfundoi në prangat e Policisë pas një tentative për vjedhje në parkingun nëntokësor te Katedralja në Prishtinë.

Bëhet fjalë për Ardit Nezirin, 20 vjeçar, i cili dyshohet se është kapur në flagrancë nga punëtori i sigurimit, derisa po tentonte të vidhte disa bateri të gjeneratorëve.

Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës së 23 gushtit, në Parking Center, në Sheshin “Xhorxh Bush”.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Neziri ishte pikasur nga punëtori i sigurimit, i cili ka ndërhyrë dhe e ka ndaluar, duke ia ndërprerë tentativën ende pa arritur të largohej nga parkingu.

Në vendngjarje është përfshirë më pas Policia, e cila e ka shoqëruar 20-vjeçarin për procedurat e mëtejshme.

Neziri është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës , ndërsa për rastin është njoftuar edhe Prokurori kujdestar.

Me urdhër të Prokurorit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë në tentativë”, ndërsa Neziri është ndaluar për 48 orë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.