Policia ka arritur ta identifikojë të dyshuarin për të shtënat me armë që kishin ndodhur ditë më parë në rrugën “Ymer Berisha” në Klinë, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Altin Marmullakun, 23-vjeçar, i cili dyshohet se kishte shtënë disa herë në ajër nga një veturë dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Rasti kishte ndodhur më 28 gusht, rreth orës 00:20, kur Policia ishte njoftuar për të shtëna me armë.
Njësitë policore kishin dalë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit ishin gjetur dhe sekuestruar katër gëzhoja të kalibrit 9 mm.
Në atë fazë, personi që dyshohej se kishte shtënë nuk ishte identifikuar dhe rasti fillimisht ishte proceduar me shënim zyrtar.
Por hetimet kanë vazhduar.
Sipas informacioneve të Sinjalit, hetuesit policorë kanë arritur sot, më 3 shtator, ta identifikojnë Marmullakun si personin që dyshohet se kishte shtënë nga vetura.
Policia më pas ka shkuar në shtëpinë e tij, ku i dyshuari e ka dorëzuar vullnetarisht armën, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
23-vjeçari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar lidhur me rastin.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.