Një aksion i Njësisë së Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë ka rezultuar me sekuestrimin e mbi 10 kilogramëve marihuanë, arrestimin e një personi dhe shpalljen në kërkim të një të dyshuari tjetër, merr vesh Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i arrestuari është Sylë Dollci, 23-vjeçar, ndërsa personi tjetër i dyshuar në këtë rast është Ali Dollci, 33-vjeçar, i cili aktualisht ndodhet në arrati.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, hetuesit e antidrogës kishin siguruar informacione se në një shtëpi në fshatin Nabërgjan të Pejës dyshohej se mbahej një sasi e konsiderueshme e substancave narkotike.

Pas sigurimit të urdhrit për kontroll nga Gjykata Themelore në Pejë, hetuesit e DHTN-së, të asistuar edhe nga një patrullë e Njësisë së Reagimit të Shpejtë, kanë zbarkuar mëngjesin e sotëm në lokacion.

Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse, Policia ka gjetur një çantë, brenda së cilës ndodheshin nëntë paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Sasia e sekuestruar, sipas informacioneve të Sinjalit, ka rezultuar me peshë bruto rreth 10 kilogramë e 569 gramë.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar edhe një telefon mobil dhe një kartelë mini SD e marrë nga kamerat, të cilat pritet të ekzaminohen në kuadër të hetimeve.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Pejë.

Me urdhër të prokurorit, Sylë Dollci është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa Ali Dollci nuk është kapur dhe ndodhet në arrati.

Rasti është iniciuar nën dyshimin për veprën penale që lidhet me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësia e antidrogës në Pejë.

Sinjali do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet e reja lidhur me rastin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.