Sinjali ka siguruar identitetin e 28-vjeçarit që u ndalua më 21 gusht në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdarë, pasi ishte në kërkim policor për muaj me radhë nën dyshimin për “Sulm seksual”.
Siç merr vesh Sinjali, bëhet fjalë për Gëzim Rushitin, rreth 28-vjeçar, i cili kërkohej nga Policia në lidhje me një rast të raportuar më 12 prill të këtij viti në Fushë Kosovë.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti kishte ndodhur rreth orës 07:30, në një pompë derivatesh në Rrugën e Pejës, ku një 23-vjeçare kishte raportuar se ishte ngacmuar seksualisht.
Në kuadër të veprimeve fillestare hetimore, Policia kishte intervistuar viktimën dhe dy dëshmitarë, ndërsa i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes para se të sigurohej prania e tij për procedurat e mëtejshme.
Për këtë arsye, Rushiti ishte futur në kërkim policor.
Më 21 gusht, ai është identifikuar dhe ndaluar nga autoritetet në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdarë, ku më pas është shoqëruar për intervistim lidhur me dyshimet që rëndojnë mbi të.
Pas përfundimit të intervistimit, është konsultuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë.
Rushiti është dërguar në Qendrën e Ndalimit, ndërsa procedurat hetimore lidhur me rastin po vazhdojnë.
I dyshuari po hetohet për veprën penale “Sulmi seksual”. Pretendimet ndaj tij mbeten për t’u vërtetuar në procedurën penale, ndërsa ai gëzon të drejtën e prezumimit të pafajësisë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.