Kontrollet ndaj mjeteve të rënda po vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa vetëm gjatë një jave janë evidentuar dhjetëra raste të tejkalimit të peshës së lejuar.

Ministria njoftoi se gjatë periudhës 14–21 gusht 2026, ekipet e saj, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë kontrolluar gjithsej 103 mjete të rënda.

Nga këto kontrolle, në 30 raste është konstatuar tejkalim i peshës së lejuar. Sipas të dhënave, 11 shkelje janë evidentuar te persona fizikë, ndërsa 19 te persona juridikë.

Për këto shkelje janë shqiptuar gjoba në vlerë të përgjithshme prej 14 mijë e 910 eurosh.

Autoritetet kanë bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë pa ndërprerje, duke theksuar se mbingarkesa e mjeteve të rënda dëmton infrastrukturën rrugore, rrezikon sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion dhe krijon kosto shtesë për shtetin.

Po ashtu, pronarëve të mjeteve dhe kompanive transportuese u është bërë thirrje që të respektojnë kufizimet ligjore të peshës.

“Mbrojtja e investimeve publike dhe siguria në rrugë janë përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në thirrjen e autoriteteve.