Një armë zjarri, së bashku me karikatorin dhe municionin, është gjetur në rrethana ende të pasqaruara në lagjen NIC në Çagllavicë, ndërsa Policia ka nisur hetimet për të zbuluar se kujt i përket dhe si ka përfunduar aty.
Sinjali mëson se rasti është raportuar më 21 gusht, rreth orës 18:30, në rrugën “Gazmend Zajmi”, në territorin e Graçanicës.
Pas informatës për armën e gjetur, njësitë patrulluese kanë dalë menjëherë në vendngjarje, kanë siguruar zonën dhe kanë marrë deklaratën e një dëshmitari.
Në rast janë përfshirë më pas edhe hetuesit dhe njësia e forenzikës.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e tipit HS-9, së bashku me një karikator dhe nëntë fishekë të kalibrit 9 mm.
Por ajo që mbetet mister për hetuesit është pronari i armës.
Në këtë fazë, Policia nuk ka identifikuar personin që e posedonte pistoletën dhe nuk dihen as rrethanat në të cilat arma ka përfunduar në këtë lokacion.
Pikërisht këto janë tash në fokus të hetimit, kujt i përket HS-9, kush e ka lënë aty dhe nëse arma lidhet me ndonjë ngjarje tjetër që mund të jetë objekt i hetimeve.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar dhe, në koordinim me të, është iniciuar procedurë penale për “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Arma dhe municioni janë sekuestruar, ndërsa hetimet për identifikimin e pronarit vazhdojnë.