Një mosmarrëveshje verbale mes dy personave ka eskaluar në të shtëna me armë zjarri mbrëmjen e së premtes në fshatin Orroberdë të Istogut, ku një 33-vjeçar mbeti i plagosur, ndërsa personi i dyshuar për sulmin u arratis nga vendi i ngjarjes.
Sinjali mëson se viktima është Dardan Haxhijaj rreth 34-vjeçar, ndërsa i dyshuari për vrasje në tentativë është Vezir Haziraj, rreth 29-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:35, ndërsa Policia fillimisht është njoftuar se një person i plagosur me armë zjarri po merrte ndihmë nga stafi mjekësor i Hotel Onix në Banjë.
Por, sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, të shtënat kishin ndodhur më herët pranë shtëpisë së të dyshuarit në fshatin Orroberdë.
Bazuar në deklarimet e dëshmitarëve, mes Haxhijajt dhe Hazirajt kishte nisur një mosmarrëveshje verbale, e cila më pas kishte eskaluar. Në ato momente, Haziraj dyshohet se ka përdorur armën e zjarrit, duke qëlluar dhe plagosur Haxhijajn në pjesën e sipërme të këmbës së majtë.
Pas të shtënave, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, ndërsa dëshmitarët e kanë marrë të plagosurin me veturë dhe e kanë dërguar deri te Hotel Onix në Banjë, ku i është ofruar ndihma e parë.
Nga aty, Haxhijaj është transportuar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Pejës. Për shkak të lëndimeve, më pas është transferuar nën përcjellje policore në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Stacionit Policor në Istog dhe Njësia e Hetimeve Rajonale në Pejë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”, ndërsa Vezir Haziraj po kërkohet nga Policia.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.