Një kontroll rutinor policor pas mesnate në Gjakovë ka përfunduar me sekuestrimin e një arme të mbushur dhe ndalimin për 48 orë të një 23-vjeçari, mëson Sinjali.

Rasti ka ndodhur më 21 gusht, rreth orës 01:50, në rrugën “Martirët e Kombit”, ku një patrullë policore po realizonte pikë kontrolli.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Policia ka ndaluar një veturë të tipit Škoda, të cilën po e drejtonte Valon Gjini, rreth 22-vjeçar.

Gjatë kontrollit të sigurisë ndaj shoferit, zyrtarët policorë kanë hasur në diçka që e ka ndryshuar menjëherë rrjedhën e kontrollit.

Në brez, 23-vjeçarit i është gjetur një armë e shkurtër “Zoraki 917T”, e karikuar me 10 fishekë të kalibrit 9 mm.

Arma dhe municioni janë sekuestruar, ndërsa Gjini është shoqëruar për procedurat e mëtejshme policore.

Por gjatë trajtimit të rastit ka dalë edhe një element tjetër.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i riu i është nënshtruar alkooltestit dhe rezultati ka treguar 0.79 promil alkool.

Për këtë arsye, ai nuk është intervistuar menjëherë nga hetuesit.

Për rastin është konsultuar Prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit është iniciuar procedura për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Me vendim të Prokurorit, Gjini është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.