Policia e Kosovës ka gjetur disa veshje dhe pajisje ushtarake të fshehura në një puset kanalizimi në rrugën “Zoran Gjingjiq” në Mitrovicë të Veriut.
Sipas Policisë, rasti është evidentuar të premten, rreth orës 13:30, gjatë patrullimit të zyrtarëve të Stacionit Policor në Mitrovicë të Veriut.
Zyrtarët policorë kanë vërejtur një puset të kanalizimit të hapur dhe, gjatë kontrollit, kanë hasur në një qese të zezë plastike, brenda së cilës janë gjetur pajisjet.
Në mesin e pajisjeve të gjetura janë pesë kapela ushtarake të gjelbra, dy gjoksore ushtarake me nga tri vende për municion, një rrip ushtarak, katër çanta për karikatorë, një çantë për radio-lidhje, dy çanta ushtarake për municion dhe një palë doreza.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar që, për momentin, të mos iniciohet rast.
Pajisjet janë sekuestruar nga Policia, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e rastit dhe për të identifikuar personat që mund të jenë të përfshirë.