Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka prezantuar raportin për gërmimet e zhvilluara në tri lokacione në komunën e Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave.

Sipas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në lokacionin e parë në Kalludër janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të 13 personave.

Në lokacionin e dytë, në Jabukë, janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku katër personave, ndërsa në lokacionin e tretë në Kalludër janë gjetur mbetjet mortore të së paku gjashtë personave.

Kurti ka bërë të ditur se tashmë ka nisur procesi i identifikimit. Mostrat e mbetjeve të gjetura në Jabukë janë dërguar për analizë të ADN-së, ndërsa për pjesën tjetër po vazhdojnë ekzaminimet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Sipas Kurtit, numri 23 përkon me atë që njihet si “grupi i intelektualëve”, për të cilët ai tha se më 19 prill 1999 ishin ndaluar, rrëmbyer dhe vrarë nga forcat serbe.

Megjithatë, ai theksoi se procesi i identifikimit mund të zgjasë edhe disa muaj dhe se vetëm pas përfundimit të tij mund të përcaktohet me saktësi se kujt u përkasin mbetjet mortore.

Kurti ka deklaruar se qindra familje vazhdojnë të presin për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre të zhdukur dhe ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të shtojë trysninë ndaj Serbisë për hapjen e arkivave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Në këtë proces janë përfshirë Policia e Kosovës, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe ekipet mjekoligjore të EULEX-it.

Në afërsi të lokacioneve ku janë zhvilluar gërmimet është gjetur edhe një sasi e madhe armatimi, e cila është dërguar për ekzaminim dhe analizë për të përcaktuar nëse mund të ketë lidhje me krimet e kryera në këto zona.