Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi me inicialet Sh.R., i dyshuar për veprën penale “sulm seksual”.
Sipas njoftimit të gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se më 16 gusht 2026, në rrugën Ferizaj–Gjilan, i dyshuari ka kryer veprime me karakter seksual ndaj një të miture rreth 14-vjeçare, e cila ndodhej në automjetin e tij.
Gjykata ka bërë të ditur se e mitura, pasi ka kuptuar situatën, ka kërkuar që automjeti të ndalonte në një pikë të rrugës. Më pas, ajo ka arritur të largohet nga vetura dhe të njoftojë Policinë e Kosovës.
Pas raportimit të rastit, i dyshuari është arrestuar nga autoritetet.
Sipas vendimit të gjykatës, e mitura ka përjetuar frikë, ankth dhe pasiguri, ndërsa ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake, Fitore Daci Krivanjeva, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji.
Gjykata ka njoftuar gjithashtu se ankesa ndaj këtij aktvendimi nuk e pezullon ekzekutimin e tij.