Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht dje për të shtënat me armë zjarri në rrugën “Sheshi i Arbërit” në Prishtinë, ku mbeti i plagosur Arben Demolli.
Demolli, i lindur në vitin 1996, ishte dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.
Sot, Sinjali ka kontaktuar QKUK-në për të mësuar më shumë rreth gjendjes së tij shëndetësore.
Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, ka konfirmuar për Sinjalin se pacienti është në gjendje stabile.
“Është trajtuar në Qendrën Emergjente një i plagosur me plagë skllopetare, i lindur në vitin 1996. Gjendja është stabile për momentin. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe do të vazhdojë trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale”, ka thënë Syla për Sinjalin.
Sipas informacioneve që Sinjali kishte siguruar pas incidentit, Demolli ishte qëlluar me armë zjarri, ndërsa i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes me një Mercedes të zi.
Në vendin e ngjarjes ishte gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri.
Rasti po vazhdon të hetohet nga organet kompetente.