Për herë të parë në historinë e Qendrës për Studime Universitare, një kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të ndjekë studimet semestrale në Universitetin Norwich, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit të FSK-së, kadeti do t’i zhvillojë studimet me bursë, ndërsa kjo arritje konsiderohet moment i rëndësishëm për avancimin e edukimit ushtarak dhe akademik.
Në njoftim thuhet se kjo mundësi pasqyron angazhimin për shkollimin ushtarak, zhvillimin profesional të kadetëve dhe krijimin e mundësive për përvojë akademike ndërkombëtare.
FSK-ja vlerëson se suksesi dëshmon se kadetët e QSU-së kanë arritur nivel akademik, profesional dhe ushtarak që u mundëson të konkurrojnë me bashkëmoshatarët nga akademitë dhe universitetet prestigjioze botërore.
“Kjo mundësi është më shumë se një përvojë individuale akademike; ajo përfaqëson një investim në gjeneratën e ardhshme të oficerëve të FSK-së dhe një dëshmi të potencialit që kanë kadetët tanë për ta përfaqësuar denjësisht Kosovën në institucionet më të njohura akademike dhe ushtarake ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.