Një tjetër rast i posedimit të narkotikëve është zbuluar gjatë kontrolleve të Policisë në kuadër të planit operativ “Vera 2026”, kësaj radhe në fshatin Llabjan të Novobërdës.
Sinjali mëson se të dyshuarit janë Ylli Hasani, rreth 28-vjeçar dhe Alban Keka, rreth 34-vjeçar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rasti është zbuluar mbrëmjen e 7 gushtit, rreth orës 21:30, kur njësitet e DHTN-së, në bashkëpunim me NJRSH-Gjilan dhe njësinë K9, kanë ndaluar për kontroll një BMW të bardhë.
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar disa sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Konkretisht, janë sekuestruar 1.93 gram marihuanë, një cigare e mbushur me marihuanë me peshë 0.50 gram, si dhe dy të tjera me peshë të përbashkët 1.33 gram.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit dy të dyshuarit janë intervistuar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.