Një intervenim policor për arrestimin e një personi të kërkuar ka eskaluar në sulm dhe kanosje ndaj zyrtarëve policorë në Vushtrri, ku dy policë kanë pësuar lëndime trupore.
Sinjali mëson se i dyshuari është Hasan Osmani, rreth 58-vjeçar, ndërsa viktima janë dy zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rasti ka ndodhur më 7 gusht, rreth orës 17:05, në zonën “Enver Zymeri” në Vushtrri.
Zyrtarët policorë kishin shkuar në lokacion për ta gjetur Osmanin, i cili po kërkohej lidhur me një rast nga Stacioni Policor Jugu në Prishtinë.
Me të mbërritur Policia, situata dyshohet se ka eskaluar. Osmani dyshohet se ka rezistuar gjatë arrestimit, i ka sulmuar policët dhe i ka penguar në kryerjen e detyrës zyrtare, ndërsa gjatë gjithë kohës i ka kanosur ata.
Si pasojë e incidentit, dy zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor në Emergjencën e Vushtrrisë.
Sipas burimeve, kanosjet nuk kanë përfunduar as pas arrestimit. I dyshuari dyshohet se i ka kërcënuar dy policët edhe brenda objektit të Stacionit Policor.
Rasti është trajtuar nga Njësia e Hetimeve, ndërsa pas intervistimit është konsultuar Prokurori kujdestar.
Pavarësisht sulmit të dyshuar, lëndimeve të policëve dhe kanosjeve të raportuara, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Hasan Osmani është liruar pas intervistimit dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.