Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e së enjtes në Podujevë, ku ndërhyrja e shpejtë e zyrtarëve policorë ka parandaluar një tragjedi, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Sh. A.rreth 21-vjeçare.
Rasti ka ndodhur më 13 gusht, rreth orës 16:02, në rrugën “Ilir Konushevci”, te ndërtesa “NEKA”, e cila është në ndërtim e sipër.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Policia fillimisht kishte pranuar informacion për një mosmarrëveshje në këtë lokacion dhe një njësi policore ishte nisur drejt objektit.
Me të mbërritur aty, zyrtarët policorë kanë vërejtur të renë në katin e tretë të ndërtesës, në rrethana që tregonin se ajo po tentonte të hidhej nga lartësia.
Policët kanë reaguar menjëherë dhe kanë arritur ta kapin në kohë, duke parandaluar rënien e saj nga objekti.
Në vendin e ngjarjes është thirrur ekipi i Emergjencës, i cili e ka marrë të renë për trajtim.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Departamentit të Përgjithshëm, i cili ka udhëzuar që fillimisht të evidentohet me shënim zyrtar dhe të vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave.