Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor për aktivitetet e zhvilluara gjatë 24 orëve të fundit, ku përfshihen të dhënat për aksidentet në trafik, arrestimet dhe masat e ndërmarra ndaj shkelësve të ligjit.
Sipas raportit policor, gjatë kësaj periudhe nuk është regjistruar asnjë aksident trafiku me pasoja fatale.
Megjithatë, në komunikacion janë evidentuar 34 aksidente me persona të lënduar, si dhe 74 aksidente me dëme materiale.
Në kuadër të zbatimit të rregullave të trafikut, Policia e Kosovës ka shqiptuar gjithsej 1 mijë e 809 gjoba ndaj shoferëve për shkelje të ndryshme të dispozitave ligjore në komunikacion.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 17 persona për vepra të ndryshme. Nga ta, 12 persona janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerë janë transferuar për vuajtje të dënimit.
Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për ruajtjen e sigurisë publike dhe zbatimin e ligjit në të gjitha fushat. /Telegrafi/