Prokuroria Themelore në Pejë bën të ditur se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Stacionin Policor në Deçan, mbrëmë ka ndërmarrë një aksion lidhur me dyshimet për zhvillimin e veprimtarisë së kundërligjshme të bixhozit.
Gjatë këtij aksioni, me urdhër të prokurorit të shtetit, janë arrestuar dhe ndaluar pesë (5) persona, nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
“Gjatë kontrollit të lokalit ku dyshohet se zhvillohej kjo veprimtari, janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht prova materiale që dyshohet se kanë shërbyer për zhvillimin e kësaj veprimtarie, përfshirë letra/karta të lojës, pesë telefona mobilë, si dhe para të gatshme në shumën prej 1,615 (një mijë e gjashtëqind e pesëmbëdhjetë) euro”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor, prokurori i rastit do të ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale, përfshirë parashtrimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit ndaj të dyshuarve, sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Njëkohësisht, Prokuroria inkurajon të gjithë qytetarët që posedojnë informacione lidhur me veprimtari të kundërligjshme, që të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe drejtësisë, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të dukurive negative në shoqëri.