Një rast tejet i ndjeshëm është iniciuar në Fushë Kosovë, ku një vajzë 14-vjeçare ka deklaruar se kishte kryer marrëdhënie seksuale me një 15-vjeçar, ndërsa rasti tashmë po trajtohet nga organet kompetente për të mitur.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se prindërit e vajzës janë paraqitur më 23 shtator në stacion, pasi paraprakisht ishin njoftuar se ajo nuk kishte shkuar në shkollë një ditë më parë.

Pas bisedës me vajzën, familjarët kanë mësuar se ajo kishte qenë së bashku me një djalë të mitur në një banesë në Fushë Kosovë.

Për shkak të moshës së të dy të miturve dhe natyrës së rastit, Sinjali nuk do të publikojë emra, iniciale, adresë të saktë apo të dhëna të tjera që mund të çojnë në identifikimin e tyre.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, e mitura është intervistuar në prani të përfaqësuesve dhe personave të autorizuar sipas procedurës për të mitur, ndërsa me urdhër të Prokurorisë është dërguar edhe për ekzaminim mjekoligjor.

Edhe i dyshuari 15-vjeçar është intervistuar në praninë e avokatit, përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale dhe prindërve, ndërsa ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar të Departamentit për të Mitur, rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “Dhunim”, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 24 orë.

Hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit po vazhdojnë.