Një rast i kanosjes në Prishtinë ka marrë kthesë të papritur mbrëmjen e 24 shtatorit, pasi personi që fillimisht kishte raportuar se ishte kërcënuar me armë zjarri përfundoi vetë në mbajtje për 48 orë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar rreth orës 18:30 në rrugën “Asllan Pireva”, ku Drilon Ademi, 28-vjeçar, ka deklaruar se ishte kanosur me armë zjarri nga Musli Maloku, 26-vjeçar.
Pas raportimit, në lokacion kanë dalë njësitë përkatëse, ndërsa gjatë veprimeve të para është gjetur dhe sekuestruar një thikë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, për shkak të pretendimit se në rast ishte përdorur armë zjarri, hetuesit kanë kryer edhe bastisje në shtëpinë e Musli Malokut. Megjithatë, gjatë kontrollit nuk është gjetur ndonjë armë apo send tjetër i dyshuar që lidhet me këtë pjesë të rastit.
Të dy personat janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve dhe fillimisht ishte vendosur që të liroheshin në procedurë të rregullt.
Por pikërisht pas intervistimit rasti mori një kthesë tjetër.
Burimet bëjnë me dije se Drilon Ademi dyshohet se është drejtuar me fjalë kanosëse, pas çka për rastin është kontaktuar sërish Prokurori kujdestar.
Pas këtij zhvillimi, Ademi është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale “Kanosje”.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e përplasjes mes dy personave.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.