Një rast i dyshuar i dhunës në familje është raportuar në Llukavc të Begut, në Istog, ku një 24-vjeçare ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga një familjar i bashkëshortit të saj.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Sh. K, e cila është paraqitur në Emergjencën e Istogut dhe ka raportuar se një ditë më parë, më 23 shtator, rreth orës 18:00, ndaj saj ishte ushtruar dhunë fizike.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima ka deklaruar se si pasojë e sulmit ka pësuar lëndime në pjesë të ndryshme të trupit, për çka ka marrë trajtim mjekësor dhe posedon edhe dokumentacion mjekësor.
Ajo është intervistuar në praninë e punëtores së Qendrës për Punë Sociale, ndërsa pas përfundimit të procedurave ka kërkuar me vullnetin e saj që të kthehet dhe të vazhdojë të jetojë në shtëpinë e bashkëshortit.
Në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar edhe bashkëshorti i viktimës, i cili ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni për atë që kishte ndodhur.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari, N.R., 55-vjeçar, është shoqëruar në Stacionin Policor në Istog dhe është intervistuar lidhur me rastin.
Ai ka mohuar se ka ushtruar dhunë fizike ndaj 24-vjeçares dhe ka deklaruar se ajo mund të kthehet në shtëpi dhe se nuk do të ketë probleme me të.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” në kuadër të dhunës në familje, ndërsa procedura do të vazhdojë në rrugë të rregullt.