Një mosmarrëveshje në komunikacion në fshatin Llapushnik të Drenasit ka eskaluar në përleshje fizike, ku kanë mbetur të lënduar një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare dhe djali i tij.

Sinjali mëson se të arrestuar janë Dritëro Krasniqi rreth 47-vjeç, Labinot Krasniqi rreth 46-vjeç, shtetas gjerman dhe vëllai i Dritëros, si dhe Liberon Krasniqi rreth 20-vjeç, djali i Dritëros.

Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 5 gushtit, rreth orës 21:00, në rrugën “Islam Syle Topalli” në Llapushnik.

Fillimisht, L. B. rreth 18-vjeç , i cili po drejtonte një Audi Q3 me ngjyrë të bardhë në drejtim të Drenasit, kishte pasur një mosmarrëveshje në trafik me drejtuesin e një Volkswagen Pickup, Dritëro Krasniqin.

Pas ndalimit të automjeteve dhe një debati verbal, situata ka eskaluar në dhunë fizike. Burimet bëjnë të ditur se në konflikt janë përfshirë edhe Labinot Krasniqi dhe Liberon Krasniqi, të cilët kishin ardhur me një automjet tjetër, duke sulmuar së bashku L. B. dhe babanë e tij, një zyrtar policor që në ato momente ndodhej jashtë detyrës zyrtare.

Si pasojë e sulmit, të dy të dëmtuarit kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor në QKMF Drenas.

Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Dritëro Krasniqi, Labinot Krasniqi dhe Liberon Krasniqi janë ndaluar për 48 orë.

Rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa procedurat po zhvillohen në procedurë të shpejtë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.