Pas publikimit të lajmit të Sinjalit lidhur me rastin që po trajtohet nga organet e rendit, reagoi avokati i këngëtarit Labinot Rexha, duke e cilësuar raportimin tonë si “të pavërtetë” dhe të publikuar “për klikime”.

Megjithatë, në të gjithë reagimin e tij, avokati nuk identifikon asnjë fakt konkret të publikuar nga Sinjali që, sipas tij, është i pasaktë. Në vend të kësaj, ai zgjedh të sulmojë median, pa ofruar asnjë provë që rrëzon përmbajtjen e raportimit.

Sinjali e rithekson se lajmi është publikuar mbi bazën e burimeve të verifikuara, ndërsa redaksia disponon edhe materialin filmik mbi të cilin janë ndërmarrë veprimet përkatëse nga organet kompetente.

Prandaj, nëse avokati apo vetë z. Labinot Rexha pretendojnë se raportimi ynë është “fake”, i ftojmë publikisht të tregojnë cili fakt konkret i publikuar nga Sinjali nuk qëndron dhe ta mbështesin këtë pretendim me prova.

Në të kundërtën, etiketimi i një raportimi si “i pavërtetë” pa kundërshtuar asnjë element të tij mbetet vetëm një deklaratë, jo një demantim.

Sinjali nuk raporton për t’u pëlqyer palëve të përfshira në ngjarje. Raporton mbi informacione të verifikuara dhe, si gjithmonë, do të publikojë çdo zhvillim të ri zyrtar që lidhet me këtë rast.