Një paraqitje në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë për një çështje tjetër ka marrë rrjedhë të papritur për një 26-vjeçar, pasi gjatë verifikimit ka rezultuar se ndaj tij ishin aktive dy urdhër-arreste, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Leotrim Ramën, i cili më 21 gusht ndodhej në Stacionin Policor Qendra për shkak të një rasti tjetër.

Gjatë verifikimit të të dhënave të tij në sistem, Policia ka konstatuar se Rama rezultonte person i kërkuar mbi bazën e dy urdhër-arresteve të ndara.

Ky konstatim ka aktivizuar menjëherë procedurat për realizimin e tyre.

Për njërën prej urdhëresave është kontaktuar gjyqtari që e kishte lëshuar, ndërsa më pas është mbajtur edhe seanca gjyqësore.

Pas seancës, ndaj 26-vjeçarit është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Por historia nuk përfundon këtu.

Ndaj Ramës ekziston edhe një urdhër-arrest i dytë, për të cilin ende nuk është mbajtur seanca përkatëse.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjyqtari që ka lëshuar urdhëresën e dytë ka urdhëruar që ajo të mbetet aktive deri në momentin kur Rama të paraqitet para tij.

Kështu, 26-vjeçari, i cili fillimisht ndodhej në Polici për një rast tjetër, ka përfunduar me një muaj paraburgim, ndërsa mbi të vazhdon të rëndojë edhe urdhër-arresti i dytë.

Në informacionet që ka Sinjali nuk specifikohen veprat penale apo procedurat konkrete për të cilat janë lëshuar dy urdhër-arrestet.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.