Gazeta Sinjali raportoi dje ekskluzivisht për vdekjen e 34-vjeçarit Arianit Çetaj, i cili u gjet pa shenja jete në shtëpinë e familjes në Pejë.

Sipas burimeve të Sinjalit, vetëm pak orë para ngjarjes, Arianiti kishte qenë së bashku me babain dhe familjarët në një dasmë në Prizren. Ata ishin kthyer në shtëpi rreth orës 04:00 të mëngjesit, ndërsa rreth orës 09:30, babai dhe vëllai e kishin gjetur pa shenja jete.

Në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitet policore, hetuesit, krimteknikët dhe Prokurori i Shtetit. Me urdhër të prokurorit, trupi ishte dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.

Familja Çetaj ka njoftuar se ceremonia e varrimit do të mbahet sot, më 7 gusht 2026, në orën 17:00, në varrezat e qytetit të Pejës.

“Me pikëllim të thellë njoftojmë familjarët, miqtë dhe dashamirët se dje u nda nga jeta djali ynë i dashur, Arianit Çetaj”, thuhet në njoftimin e familjes.

E pamja do të mbahet në shtëpinë e familjes Çetaj, në rrugën “Gavrill Dara”, në Lagjen Kristal.

“Pusho në paqe, Arianit. Kujtimi dhe dashuria për ty do të jetojnë përgjithmonë në zemrat tona”, thuhet më tej në njoftim.